Bashki të Forta: përvoja vendore që po ndihmon në formësimin e politikave kombëtare për fëmijërinë e hershme

Në Simpoziumin III Kombëtar për Edukimin dhe Kujdesin në Fëmijërinë e Hershme, organizuar nga UNICEF, Banka Botërore dhe AFD, Projekti Bashki të Forta i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC (Embassy of Switzerland in Albania, Swiss Development & Cooperation) dhe Qeverisë së Suedisë (Embassy of Sweden in Tirana), i zbatuar nga Helvetas, ndau produktet, rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga puna shumëvjeçare me bashkitë në fushën e arsimit parashkollor.

Përmes publikimeve dhe analizave të përgatitura në kuadër të projektit, sollëm në vëmendje përvojën e bashkive pas një dekade decentralizimi të arsimit parashkollor, arritjet e deritanishme, sfidat që mbeten dhe rekomandimet për një fazë të re reforme më të qartë, më të financuar dhe më të orientuar drejt cilësisë.

Një pjesë e rëndësishme e rekomandimeve të artikuluara nga bashkitë dhe të mbështetura nga Projekti “Bashki të Forta” po gjejnë tashmë pasqyrim në diskutimet institucionale dhe në angazhimet e shprehura gjatë simpoziumit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, përfshirë:

✅ përfshirjen më të qartë të arsimit parashkollor dhe qasjes 0–6 vjeç në Strategjinë e re të Arsimit Parauniversitar;

✅ trajtimin e fëmijërisë së hershme jo vetëm si shërbim arsimor, por si investim në zhvillimin e fëmijës, kapitalin njerëzor, përfshirjen sociale dhe pjesëmarrjen ekonomike të grave;

✅ qartësimin e roleve dhe përgjegjësive ndërmjet qeverisë qendrore dhe bashkive;

✅ forcimin e standardeve kombëtare të cilësisë për shërbimin parashkollor dhe për grupmoshën 0–3 vjeç;

✅ vendosjen e një sistemi më të qartë licencimi, monitorimi dhe standardizimi për shërbimet publike dhe private;

✅ zhvillimin e një metodologjie të kostos standarde për fëmijë dhe forcimin e financimit të dedikuar për arsimin parashkollor;

✅ forcimin e shërbimeve mbështetëse për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët nga komunitetet rome dhe egjiptiane dhe familjet në situatë vulnerabël;

✅ përmirësimin e të dhënave, monitorimit dhe llogaridhënies për cilësinë dhe aksesin në shërbim;

✅ fuqizimin e kapaciteteve të bashkive, edukatorëve, drejtuesve të kopshteve dhe stafit mbështetës.

Për ‘Bashki të Forta’, ky është një moment i rëndësishëm: përvoja e bashkive, evidencat nga terreni dhe praktikat e mira vendore po kontribuojnë drejtpërdrejt në formësimin e politikave kombëtare.

Projekti Bashki të Forta vlerëson partneritetin me UNICEF, Bankën Botërore, AFD, ministritë përgjegjëse, bashkitë dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces. Përmes evidencës nga terreni, praktikave të mira vendore dhe rekomandimeve të bashkive, mbetemi të angazhuar të kontribuojmë në forcimin e politikave dhe shërbimeve për fëmijërinë e hershme.