Bashkia Elbasan – e para bashki pilot për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në transparencë dhe llogaridhënie
- 25 Shtator, 2026
- Posted by: bashkiteforta
- Categories: Histori Suksesi, Performanca e Bashkive, Performanca e Bashkive - Botime, Performanca e Bashkive - në media, Të rejat, Uncategorized
Bashkia Elbasan, me asistencë nga Projekti “Bashki të Forta”, i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC (Embassy of Switzerland in Albania) dhe Qeverisë së Suedisë (Embassy of Sweden in Tirana), i zbatuar nga Helvetas, bëhet bashkia e parë pilot për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në transparencë dhe llogaridhënie.
Bashkia Elbasan është përzgjedhur si bashki pilot për zbatimin e një zgjidhjeje të bazuar në Inteligjencën Artificiale (AI), me synim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe aksesit të qytetarëve në informacionin mbi performancën dhe shërbimet bashkiake.
Në këtë kuadër, sot u zhvillua një takim prezantues mbi mundësitë konkrete të përdorimit të AI për të lehtësuar komunikimin e Bashkisë me qytetarët dhe grupet e interesit.
Prej disa vitesh, Bashkia Elbasan harton dhe publikon Raportin Vjetor të Performancës, bazuar në një grup treguesish të përzgjedhur të performancës. Raporti i Performancës për vitin 2025 është tashmë i publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë dhe mund të konsultohet nga të gjithë qytetarët:
Si pjesë e këtij pilotimi, synohet që informacioni të bëhet edhe më i aksesueshëm përmes krijimit të një dritareje interaktive komunikimi në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan, ku qytetarët dhe të interesuarit do të mund të drejtojnë pyetje mbi rezultatet e performancës, shërbimet bashkiake dhe informacione të tjera me interes publik dhe të marrin përgjigje të menjëhershme.
Zgjidhja pritet të vihet në funksion brenda muajit shtator 2026, në kuadër të bashkëpunimit me projektin Bashki të Forta, në bashkëpunim me Smart Process.
Një hap tjetër drejt një qeverisjeje vendore më transparente, më të aksesueshme dhe më pranë qytetarëve.




