Dibra mirëpret partnerët zviceranë për qeverisjen vendore

Dibra mirëpriti dje një delegacion nga Zvicra, në përbërje të të cilit ishin znj. Séverine Donnet-Descartes, Drejtore e Drejtorisë për Evropën Lindore në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Swiss Development & Cooperation SDC), e cila shoqërohej nga Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri (Embassy of Switzerland in Albania), znj. Ruth Huber, zv. Ambasadori Philipp Arnold dhe znj. Elda Bagaviki eksperte e qeverisjes vendore në Ambasadën e Zvicrës. Miqtë nga Zvicra shoqëroheshin në këtë vizitë nga drejtues të Projektit Bashki të Forta i SDC dhe Qeverisë së Suedisë (Embassy of Sweden in Tirana), i zbatuar nga Helvetas. Në fokus të vizitës ishte forcimi i qeverisjes vendore, performanca e shërbimeve publike dhe sfidat e zhvillimit të zonave rurale.

Ata u takuan me Kryetarin e Bashkisë Dibër, z. Rahim Spahiu, Kryetarin e Këshillit Bashkiak, z. Sokol Sava, drejtues të grupeve politike në Këshillin Bashkiak, znj. Alketa Agolli dhe z. Hysen Uka, deputeten znj. Alma Selami, si dhe drejtoreshën e NAMA-s, znj. Adelina Farrici. Diskutimet u moderuan nga Dr. Valbona Karakaçi.

Në fokus të diskutimeve ishte reforma e pritshme administrativo-territoriale në Shqipëri, sfidat e decentralizimit dhe zhvillimit të zonave rurale, si dhe nevoja për institucione vendore më efikase, transparente dhe më pranë qytetarëve. Gjithashtu, u prezantua bashkëpunimi i Projektit Bashki të Forta me Bashkinë Dibër, me fokus në përmirësimin e performancës së bashkisë dhe shërbimeve publike si dhe forcimin e rolit të këshillave bashkiakë.

Takime të tilla konfirmojnë rëndësinë e dialogut ndërinstitucional dhe partneritetit mes pushtetit vendor, institucioneve qendrore dhe partnerëve ndërkombëtarë për avancimin e reformave dhe zhvillimin e qëndrueshëm vendor.