Ekonomia qarkulluese dhe partneriteti vendor për menaxhimin e mbetjeve

Në kuadër të mbështetjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për hartimin e një VKM-je mbi kontratën tip ndërmjet bashkive dhe SHPZP-ve (Shoqërive të Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesve), në zbatim të ligjit të ri për përgjegjësinë e zgjeruar të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje, Projekti Bashki të Forta organizoi një tryezë diskutimi me përfaqësues të bashkive, Ministrisë së Mjedisit, prodhuesve të mëdhenj, bizneseve të riciklimit dhe kompanive importuese.

Tryeza synoi të krijojë një hapësirë dialogu dhe koordinimi ndërmjet aktorëve kryesorë të përfshirë në zinxhirin e menaxhimit të mbetjeve, me fokus ndarjen e roleve, përgjegjësive dhe mekanizmave të bashkëpunimit për zbatimin efektiv të kuadrit të ri ligjor. Bazuar në eksperiencat dhe modelet ndërkombëtare të prezantuara nga ekspertët, diskutimet u përqendruan në identifikimin e disa pikave fillestare dhe praktike mbi të cilat mund të nisë zbatimi i detyrimeve për menaxhimin e integruar të mbetjeve në nivel vendor.

Në qendër të diskutimeve ishte rëndësia e krijimit të sistemeve funksionale të grumbullimit të diferencuar të mbetjeve, si dhe përcaktimi i qartë i rolit dhe përgjegjësive të subjekteve prodhuese dhe importuese në financimin dhe organizimin e këtyre proceseve. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional, standardizim të marrëdhënieve kontraktuale dhe krijimin e një modeli të qëndrueshëm që mbështet ekonominë qarkulluese dhe përmirësimin e performancës së shërbimeve vendore të menaxhimit të mbetjeve.