- 11 Dhjetor, 2025
- Posted by: Durim Tabaku
- Categories: Histori Suksesi, Të rejat
Mbledhja e Parë e Komitetit Drejtues të Akademisë për Trajnimin e Njësive të Qeverisjes Vendore (TALGA)
Me datë 10 dhjetor u mbajt mbledhja e parë dhe e Komitetit Drejtues të TALGA-s, një moment shumë i rëndësishëm për fillimin e punës së TALGA. Ngritja e TALGApërbën një moment historik në agjendën për rritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e administratës së njësive të vetëqeverisjes vendore (NJVV) në Shqipëri, për avancimin e qeverisjes së mirë, demokratike dhe ofrimin e shërbimeve cilësore vendore.
TALGA vjen në një moment shumë të rëndësishëm për NJVV-të. Shqipëria ndodhet aktualisht, në një fazë të përshpejtuar të procesit të integrimit evropian, proces që kërkon angazhimin e fortë të NJVV-ve për përmbushjen e detyrimeve të tyre në kuadër të anëtarësimit. Ky proces do t’u mundësojë NJVV-ve të përfitojnë nga programet dhe projektet mbështetëse të Bashkimit Evropian, dhe në të këtë kuadër profesionalizmi i zyrtarëve të NJVV-ve dhe e TALGA merr një rëndësi parësore.
Mbledhja e Komitetit Drejtues u drejtua nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe në të morën pjesë përfaqësues të NJVV-ve, të bashkive Durrës dhe Kavajë, të Qarkut Tiranë, të shoqatave të NJVV-ve, të AMVV-së, të Universitetit të Tiranës, si dhe të agjencive të tjera qeveritare, si përfaqësues nga projekti “Bashki të Forta” HELVETAS. TALGA ka tërhequr tashmë interesin e aktorëve të tjerë të zhvillimit, si p.sh. Qeverisë Holandeze, e cila ka angazhuar burime shtesë duke zgjeruar mbështetjen kryesore të ofruar nga Zvicra dhe Suedia.
Takimi i Komitetit Drejtues u zhvillua pas mbledhjes së Asamblesë Themeluese të TALGA-s, të mbajtur më datë 31 Tetor 2025 , e cila miratoi ngritjen e Akademisë edhe statutin e saj.
Takimi theksoi se kjo ditë përbën një etapë të rëndësishme në konsolidimin e TALGA-s, një projekt i lindur nga nevojat e vetë njësive të qeverisjes vendore dhe i materializuar falë bashkëdizenjimit dhe bashkëfinancimit të qeverisë qendrore dhe NJVV-ve, dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Qeverisë Zvicerane dhe asaj Suedeze, përmes projektit të zbatuar nga HELVETAS.
U vlerësua puna e deritanishme e grupit ndërinstitucional të punës dhe e ekspertëve që kontribuuan në modelimin dhe ngritjen e Akademisë. U konsiderua një rezultat shumë i mirë fakti që 60 bashki, përmes vendimeve të këshillave bashkiakë, kanë miratuar tashmë pjesëmarrjen në TALGA, dhe pritet që së shpejti që edhe bashkia e fundit t’i bashkëngjitet iniciativës. Ndërkohë, qeveria qendrore dhe NJVV-të kanë marrë angazhime financiare për të mbështetur funksionimin dhe aktivitetet trajnuese të TALGA-s.
Në përputhje me statutin, Komiteti Drejtues zgjodhi dy nënkryetarët e tij Zj. Emirjana Sako, si përfaqësuese e bashkive Z. Aldrin Dalipi, si përfaqësues i këshillave të qarqeve.
Gjithashtu, gjatë takimit u miratua një sërë dokumentesh të rëndësishme, përfshirë rregulloren e funksionimit të Komitetit Drejtues, strukturën organizative dhe nivelin referues për pagat e punonjësve të TALGA, si edhe dokumente të tjera operacional të nevojshëm për punën e Komitetit Drejtues. Një pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe diskutimi rreth përgatitjeve për ngjarjen inauguruese të TALGA , e cila do të mbahet më 19 dhjetor, ngjarje që shënon hapjen zyrtare të Akademisë. Kjo ngjarje historike për vetëqeverisjen vendore do të kurorëzojë përpjekjet disa vjeçare për ngritjen e Akademisë, si një institucion kombëtar i Shqipërisë i cili do i kontribuojë aftësimit të vazhdueshëm, cilësor dhe praktik të administratës së NJVV-ve. TALGA do të veprojë si një qendër koordinuese për agjencitë publike dhe partnerët e zhvillimit, veçanërisht për zbatimin e Strategjisë për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore dhe Strategjisë për Reformën në Administratën Publike.






