- 26 Nëntor, 2025
- Posted by: Durim Tabaku
- Categories: Histori Suksesi, Performanca e Bashkive, Performanca e Bashkive - Botime, Performanca e Bashkive - në media, Të rejat
Me asistencë nga Bashki të Forta, Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe Qeverisë së Suedisë, i zbatuar nga Helvetas, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Z. Ervin Demo, mbajti Konferencën për Sistemin e Matjes së Performancës së Bashkive për prezantimin e gjetjeve të këtij sistemi për vitin 2024.
Në konferencë morën pjesë edhe Shkëlqesia e Saj, Ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Shqipëri , Znj. Ruth Huber, dhe Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Suedisë, Z. Niklas Ström. Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Ruth u shpreh se Zvicra ka qenë dhe do të mbetet një partner i qëndrueshëm i Shqipërisë drejt decentralizimit dhe forcimit të qeverisjes vendore. Ajo përgëzoi bashkitë për përmirësimin e performancës vendore dhe i nxiti ato të shtojnë përpjekjet për trajtimin e sfidave për shërbime sa më cilësore për qytetarët. Amasadori Ström evidentoi bashkëpunimin e suksesshëm dhe partneritetin e qëndrueshëm mes Zvicrës dhe Suedisë për përmirësimin e qeverisjes vendore në Shqipëri dhe rëndësinë e sistemit të matjes së performancës për rritjen e transparencës, përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve vendore.
Në seancën e dytë të konferencës pati prezantime nga përfaqësues të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), nga Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, znj. Elsa Dhuli dhe Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, znj. Adelina Farrici
Prezantimet dhe diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës, monitorimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve publike në nivel vendor, duke nënvizuar angazhimin institucional për forcimin e qeverisjes vendore dhe rritjen e efikasitetit në shërbim të qytetarëve.
Falë këtij sistemi të matjes së performancës, u zbatua Granti i Bazuar në Performancë, me kontribut financiar të përbashkët mes Qeverisë së Zvicrës, Qeverisë së Suedisë dhe Qeverisë Shqiptare. Nga ky grant, bashkitë përfituan 4.5 milionë euro sipas vlerësimit të performancës së tyre, një model i vërtetë evropian, ku integrimi në BE nuk është vetëm objektiv politik, por praktikë konkrete qeverisjeje.
































