- 30 Maj, 2026
- Posted by: Durim Tabaku
- Categories: Gratë në Politikë, Gratë në Politikë - në media, Histori Suksesi, Të rejat
Dje, Prishtina u bë qendra e dialogut dhe bashkëpunimit ndërshqiptar për fuqizimin e grave në politikë, qeverisje dhe zhvillim. Konferenca IV Ndërkombëtare e Prishtinës, e bashkëorganizuar nga Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake (AKKB) dhe Komuna e Prishtinës (Kryeqyteti Prishtina) me temë “Imazhi dhe lidershipi politik i grave shqiptare: vlera, identitet dhe perspektivë evropiane”, mblodhi gra lidere, përfaqësuese të institucioneve, qeverisjes vendore, akademisë, shoqërisë civile dhe diasporës shqiptare për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e rritjes së rolit të grave në vendimmarrje. AKKB mbështetet nga Bashki të Forta, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC (Embassy of Switzerland in Albania, Swiss Development & Cooperation) dhe Qeverisë së Suedisë (Embassy of Sweden in Tirana), i zbatuar nga Helvetas. Në këtë konferencë morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe ish Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të cilët evidentuan rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në politikë.
Përmes katër paneleve tematike, në konferencë u trajtuan çështje si lidershipi politik i grave, ndikimi i tyre në qeverisjen vendore, roli në zhvillimin ekonomik dhe rëndësia e rrjetëzimit e bashkëpunimit ndërkombëtar. Aktiviteti kulmoi me miratimin e “Deklaratës së Prishtinës 2026”, një dokument i përbashkët me rekomandime strategjike për fuqizimin e grave, rritjen e përfaqësimit të tyre dinjitoz dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Nëpërmjet këtij aktiviteti, që është një model rajonal për fuqzimin e grave dhe vajzave në politikë, synohej të promovohen vlerat, identiteti dhe kontributi i grave shqiptare në ndërtimin e një të ardhmeje më demokratike, më gjithëpërfshirëse dhe më evropiane.





