Nis procesi i vlerësimit për Grantin e Bazuar në Performancë 2026

Nis procesi i vlerësimit për Grantin e Bazuar në Performancë 2026

Më 8 shtator 2026 nisi procesi i vlerësimit të bashkive për Grantin e Bazuar në Performancë (GBP) 2026, nën kujdesin e Ministrit për Pushtetin Vendor, Z. Ervin Demo, me asistencën e Bashki të Forta, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe Qeverisë së Suedisë, i zbatuar nga Helvetas, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV).

Granti i Bazuar në Performancë është një instrument që nxit përmirësimin e performancës së qeverisjes vendore dhe shpërblen bashkitë mbi bazën e rezultateve konkrete dhe të verifikueshme.

Bashki të Forta ka asistuar të gjithë procesin, nga hartimi dhe përmirësimi i metodologjisë dhe treguesve të performancës, te përgatitja e procesit të aplikimit dhe mbështetja për mekanizmin e vlerësimit. Vlerësimi do të kryhet nga Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve (KVA) përmes 7 mbledhjeve tematike, nga 8 shtatori deri më 27 tetor, për t’i hapur më pas rrugë miratimit dhe shpërndarjes së fondeve për bashkitë fituese.

Disa të dhëna nga aplikimet e bashkive tregojnë një angazhim të konsiderueshëm:

  • 99 plane vendore janë paraqitur në gjashtë fusha prioritare, si menaxhimi i pyjeve dhe mbetjeve, shërbimet sociale, integriteti, arsimi parauniversitar dhe barazia gjinore;
  • 60 bashki kanë raportuar brenda afatit të dhënat e Sistemit të Menaxhimit të Performancës për vitin 2025;
  • 48 bashki raportojnë regjistrim në kopshtet publike në nivelin ≥60%, ndërsa po aq raportojnë mbulim të kostos së menaxhimit të mbetjeve nga tarifa në masën ≥50%;
  • 41 bashki raportojnë nivel ≥70% të riciklimit të të ardhurave nga ekonomia pyjore;
  • 53 bashki rezultojnë me shlyerje të detyrimeve të prapambetura ≥30%.

Procesi i vlerësimit do të vijojë gjatë shtatorit dhe tetorit, ndërsa shpërndarja e fondeve të GBP 2026 parashikohet të përfundojë në nëntor–dhjetor 2026.

Përmes mbështetjes së Grantit të Bazuar në Performancë, kontribuojmë në forcimin e një kulture të qeverisjes vendore të orientuar drejt rezultateve, transparencës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.