Qeveria e Shqipërisë ka formalizuar mbështetjen e saj për ngritjen e Akademisë për Qeverisjen Vendore

Qeveria e Shqipërisë ka formalizuar mbështetjen e saj për ngritjen e Akademisë për Qeverisjen Vendore. Kjo iniciativë është një vullnet i përbashkët i Qeverisë dhe i njësive të vetëqeverisjes vendore (NJVV), si dhe një nevojë dhe kërkesë e kahershme e bashkive dhe këshillave të qarqeve.

Projekti “Bashki të Forta” – Helvetas, me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane dhe asaj Suedeze, ka mbështetur procesin e politikëbërjes që shoqëroi këtë iniciativë, përmes asistencës teknike, analizave, dhënies së rekomandimeve dhe ofrimit të modeleve të mira nga shkolla dhe akademi të ngjashme, si dhe duke lehtësuar një proces gjithëpërfshirës diskutimi midis aktorëve qeveritarë në nivel qendror, rajonal dhe vendor.

Kjo iniciativë synon të reformojë dhe modernizojë procesin e ngritjes së kapaciteteve dhe të avancojë cilësinë e zhvillimit profesional të zyrtarëve të NJVV-ve, në funksion të një qeverisjeje vendore që performon më mirë.

Në vijim të kësaj mbështetjeje, Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 16 korrik 2025, vendosi të mbështesë ngritjen e Akademisë si një subjekt i kompetencave të përbashkëta, në formën e një organizate jofitimprurëse, dhe të autorizojë Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor të negociojë dhe nënshkruajë marrëveshjen me njësitë e vetëqeverisjes vendore për krijimin e kësaj Akademie, si një strukturë e përbashkët midis Qeverisë dhe NJVV-ve.

Akademia do të ketë për mision zhvillimin dhe kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve vendorë, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës së tyre profesionale për përmbushjen efektive të funksioneve dhe kompetencave të tyre. Kjo do të ndihmojë në ofrimin e një qeverisjeje të mirë e demokratike, shërbime cilësore publike dhe zhvillim të qëndrueshëm të territoreve dhe komuniteteve vendore, si dhe në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Qeveria dhe të gjitha NJVV-të do të kontribuojnë financiarisht për funksionimin e Akademisë. Qeveria, përmes Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), do të mbulojë kostot fillestare të themelimit të Akademisë, si dhe gjysmën e kostove të trajnimit dhe operimit gjatë tre viteve të para.

Akademia do të drejtohet nga një komitet drejtues i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, të NJVV-ve dhe të sektorit akademik. Ajo do të bashkëpunojë dhe koordinojë aktivitetet trajnuese me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).