Reforma Administrative-Territoriale: Zëri i qytetarëve në fokus

Projekti “Bashki të Forta” (BtF), i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim Swiss Agency for Development and Cooperation dhe Qeverisë së Suedisë, i zbatuar nga Helvetas, po ofron asistencë të drejtpërdrejtë për procesin e konsultimit publik të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Në kuadër të kësaj mbështetjeje, projekti po kontribuon në organizimin dhe koordinimin e dëgjesave rajonale konsultuese, duke siguruar mbështetje logjistike, dokumentimin dhe regjistrimin e takimeve me aktorët vendorë, ekspertët dhe qytetarët.

Në funksion të rritjes së transparencës dhe aksesit publik ndaj këtij procesi, BtF ka mbështetur gjithashtu krijimin e një platforme online (https://reformaterritoriale.parlament.al/), të integruar në faqen zyrtare të Kuvendit, ku do të pasqyrohet hap pas hapi i gjithë procesi i konsultimeve dhe dëgjesave publike, përfshirë këtu procesverbalet, diskutimet dhe kontributet e pjesëmarrësve në çdo takim rajonal.

Përmes kësaj platforme, ekspertë, specialistë, përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe çdo qytetar i interesuar mund të japin mendimet dhe rekomandimet e tyre mbi qeverisjen vendore në Shqipëri, cilësinë e shërbimeve vendore, funksionet dhe organizimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, financat lokale, transparencën dhe kuadrin ligjor e nënligjor, duke reflektuar mbi zhvillimet para dhe pas reformës territoriale të viteve 2014–2015. Platforma krijon gjithashtu mundësinë që qytetarët të kontribuojnë me ide dhe propozime konkrete për reformën territoriale në të ardhmen.

Në kuadër të këtij procesi, ekspertët teknikë janë organizuar në tre grupe tematike kryesore. Grupi i parë, “Territor & Qeverisje”, do të vlerësojë përshtatshmërinë e ndarjes territoriale dhe strukturave të qeverisjes vendore në raport me funksionalitetin, përfaqësimin dhe afërsinë me qytetarin, si dhe do të identifikojë modele më efektive të organizimit territorial. Grupi i dytë, “Funksione – Shërbime – Kompetenca”, do të analizojë ndarjen dhe ushtrimin e funksioneve ndërmjet nivelit vendor dhe atij qendror, cilësinë dhe eficiencën e shërbimeve publike, si dhe përputhjen me parimin e subsidiaritetit. Ndërsa Grupi i tretë, “Financa Vendore”, do të fokusohet në qëndrueshmërinë financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore, përputhjen mes burimeve financiare dhe përgjegjësive, si dhe mekanizmat e transfertave dhe barazimit financiar.

Vizitoni platformën e konsultimit për Reformën Administrative-Territoriale (https://reformaterritoriale.parlament.al/) dhe bëhuni pjesë e dialogut kombëtar duke ndarë mendimet dhe rekomandimet tuaja për të ardhmen e kësaj reforme dhe qeverisjes vendore në Shqipëri.