- 1 Qershor, 2026
- Posted by: Durim Tabaku
- Category: Të rejat
Të premten Bashkia Shkodër dhe Këshilli Bashkiak Shkodër mirëpritën një delegacion të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (SIDA) (Embassy of Sweden in Tirana), i përbërë nga Hanna Hellquist (Drejtoreshë e Përgjithshme në detyrë e Sida-s) dhe Sofia Hafdell (Koordinatore e Bordit dhe Këshilltare e Stafit Drejtues), Edvard Agrell, Martin Ängeby, Erik Illes.
Delegacioni suedez u takua me përfaqësues të qeverisjes vendore, përfshirë nënkryetarin e bashkisë, anëtarë të këshillit bashkiak dhe drejtues të administratës vendore. Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me ambientet e Bashkisë Shkodër dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak.
Në takimet e zhvilluara, përfaqësuesit suedezë dhe drejtuesit vendorë diskutuan mbi reformën administrative-territoriale, mbështetjen që Suedia ofron përmes programeve të ndryshme të zhvillimit, përfshirë projektin Bashki të Forta, përfaqësimin e grave në politikë, instrumentet për forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore, si Akademia e Qeverisjes Vendore, si dhe përmirësimin e performancës së institucioneve vendore. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu bashkëpunimit me sektorin privat dhe rolit të tij në zhvillimin ekonomik lokal.
Gjatë takimit u ritheksua angazhimi i Suedisë për të vazhduar mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.























