Angazhim për vazhdim të asistencës – Takimi i 5-të i Komitetit Drejtues të BtF

Projekti Bashki të Forta (BtF) organizoi dje takimin e pestë të Komitetit Drejtues, në përbërje të të cilit janë Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (përfaqësuar nga Drejto ri i Komanduar i AMVV-së), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Përfshirjes Sociale, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, Shoqata për Autonomi Vendore, SIDA, kryetarë bashkish dhe këshillash bashkiakë.


Në fjalën e tij përshëndetëse, në emër të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Drejtori i Komanduar i AMVV-së, Z. Stilian Llavdaniti, vuri në pah bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm dhe angazhimin e Projektit BtF për arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë forcimin e vetëqeverisjes vendore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë. Z. Llavdaniti u ndal në tre çështje kryesore: sistemi i matjes së performancës që mat dobësitë e qeverisjes vendore dhe që synon vendimmarrje bazuar në të dhëna; granti i performancës, si instrument që nxit përmirësimin e punës së NJQV-ve, me bashkënfinancim nga qeveria shqiptare dhe BtF; ngritja e akademisë së qeverisjes vendore për trajnimin e vazhdueshëm të burimeve njerëzore në nivel vendor.


Në fjalën e saj përshëndetëse, Zj. Sabine Piccard, Përgjegjëse e Fushave të Qeverisjes dhe Shëndetësisë, Ambasada e Zvicrës, i vuri theksin në përgatitjen nga SDC të strategjisë së vendit dhe në nevojën e forcimit të aktorëve të sistemit dhe kapitalizimit të përvojës së projektit, veçanërisht për sa i përket vendosjes së projektit strategjikisht në asistencën për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku qeverisja vendore ka një rol të rëndësishëm.


Erik Illes, Përgjegjës i Zhvillimit dhe Bashkëpunimit, Ambasada e Suedisë, evidentoi faktin se shumë donatorë po rishohin fondet për vendet në zhvillim dhe se është e nevojshme të përshtatet asistenca në drejtim të qëndrueshmërisë, koordinimit dhe gjithëpërfshirjes. Ai përshkroi shkurtimisht shembullin e asistencës në drejtim të menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Berat dhe koordinimin institucional me BtF për Akademinë e Qeverisjes Vendore.


Më pas, Drejtori i Projektit BtF, Z. Norbert Pijls, dhe Këshilltarja Strategjike e projektit, Dr. Valbona Karakaçi, bënë një prezantim të shkurtër të arritjeve për vitin 2024, raport i cili u miratua parimisht nga të pranishmit.


Në këtë takim u bë një prezantim për grantin e performancë dhe sistemin e matjes së performancës së bashkive nga Zj. Olta Caca e AMMV-së dhe u bënë diskutime edhe nga pjesëmarrës të tjerë.

Për më shumë informacion lutemi ndiqni videon e këtij takimi të publikuar në YouTube: