- 5 Qershor, 2026
- Posted by: Durim Tabaku
- Category: Të rejat
Komiteti Drejtues i Akademisë për Trajnimin e Vetëqeverisjes Vendore (TALGA) zhvilloi mbledhjen e radhës, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e konsolidimit dhe funksionalizimit të saj. TALGA është krijuar me asistencë nga Projekti Bashki të Forta i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Embassy of Switzerland in Albania, Swiss Development & Cooperation SDC) dhe Qeverisë së Suedisë (Embassy of Sweden in Tirana), i zbatuar nga Helvetas.
Në këtë takim të drejtuar nga Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor (Ervin Demo) u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë çështjesh administrative, financiare dhe organizative që lidhen me ngritjen e kapaciteteve institucionale të TALGA-s. Një nga vendimet kryesore ishte miratimi i strukturës organizative të institucionit, e cila parashikon 14 pozicione pune dhe synon të sigurojë kapacitetet minimale profesionale, administrative dhe financiare për funksionimin efektiv të Akademisë.
Takimi kishte si qëllim shqyrtimin dhe miratimin e çështjeve administrative, financiare dhe organizative që lidhen me funksionimin e TALA-s. Në fillim u miratua sekretari i mbledhjes në mënyrë tranzitore, si dhe rendi i ditës. U diskutua dhe u miratua struktura organizative e TALGA-s, e cila parashikon një staf fillestar prej 14 personash. Struktura synon të krijojë kapacitetet minimale profesionale, administrative dhe financiare për funksionimin e institucionit. Ajo përfshin tre njësi kryesore: Njësinë e Programeve dhe Cilësisë, Njësinë e Partneriteteve dhe Zhvillimit, si dhe Njësinë e Financës, Administrimit dhe Operacioneve. Gjithashtu u përmendën dy specialistë në varësi direkte të drejtorit ekzekutiv: një për platformat dixhitale dhe një për sistemet inteligjente dhe automatizimin.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua nivelit të pagave. U sqarua se pagat janë referuar te struktura homologe e Bashkisë së Tiranës, duke marrë parasysh përgjegjësitë funksionale, nivelin e ekspertizës dhe nevojën për të tërhequr staf profesional. U pranua propozimi që, kur paga e një pozicioni referohet te një pozicion i caktuar në administratën vendore, të merren parasysh edhe kriteret minimale përkatëse të atij pozicioni, si arsimi, eksperienca dhe kërkesat profesionale.
U diskutuan edhe disa sugjerime teknike për përmirësimin e formulimeve në dokumentacion, sidomos lidhur me terminologjinë administrative, kriteret e arsimit, vjetërsinë në punë dhe shmangien e mbivendosjeve me institucione të tjera, veçanërisht me ASPA-n. U ra dakord që komentet teknike të përcillen dhe të reflektohen në materialet përfundimtare.
Në vijim u shqyrtua rregullorja e rekrutimit dhe përzgjedhjes së personelit. Drejtoresha ekzekutive shpjegoi se, për shkak se institucioni ndodhet në fazë fillestare dhe aktualisht ka kapacitete shumë të kufizuara, nevojitet një procedurë tranzitore për rekrutimin e personave të parë. U ra dakord që të rekrutohen fillimisht deri në katër pozicione kyçe, të cilat do të ndihmojnë në ndërtimin e bërthamës institucionale dhe më pas në përgatitjen e rregullores së plotë të rekrutimit.
Komiteti drejtues autorizoi drejtorin ekzekutiv të nisë procedurat e para të rekrutimit, me kusht që kriteret bazë të jenë të harmonizuara me pozicionet referuese të administratës vendore. U vendos që brenda rreth tre javësh të përgatitet një rregullore më e detajuar dhe të paraqitet në mbledhjen e radhës.
Në pikën “Të ndryshme” u ngrit nevoja që në mbledhjen e ardhshme të diskutohet edhe programi i trajnimeve të TALA-s, duke qenë se ka interes nga donatorët dhe nevojë për aktivizim sa më të shpejtë të institucionit.































