- 21 Janar, 2026
- Posted by: Durim Tabaku
- Categories: Histori Suksesi, Të rejat
Në kuadër të nismës së Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor për forcimin e kapaciteteve të bashkive, Akademia e Trajnimit për Vetëqeverisjen Vendore (TALGA), në bashkëpunim me AMVV, ASPA dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me mbështetjen e projektit Bashki të Forta, nisi sot sesionet e posaçme të trajnimit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga bashkitë e qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Kukës. Këto sesione do të vijojnë edhe javën e ardhshme me bashkitë e qarqeve të tjera, duke synuar mbulim të gjerë territorial dhe përfshirje të strukturave kyçe vendore.
E krijuar si një nismë e mbështetur nga Bashki të Forta (projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC [Embassy of Switzerland in Albania, Swiss Development & Cooperation] dhe Qeverisë së Suedisë [Embassy of Sweden in Tirana], zbatuar nga Helvetas), TALGA është pjesë e përpjekjeve afatgjata për ndërtimin e një mekanizmi të qëndrueshëm kombëtar për zhvillimin e kapaciteteve të vetëqeverisjes vendore. Falë kësaj mbështetjeje, TALGA po konsolidon strukturat e saj, po harton kurrikula tematike dhe ofron programe trajnimi të standardizuara, të bazuara në nevojat reale të bashkive dhe të harmonizuara me politikat kombëtare dhe kuadrin ligjor në fuqi.
Trajnimet aktuale bazohen në kurrikulën e re të TALGA për menaxhimin e mbetjeve dhe synojnë rritjen e kapaciteteve të stafeve bashkiake në aspektet planifikuese, financiare dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me parimet e ekonomisë qarkulluese. Përmes një qasjeje praktike dhe ndërinstitucionale, këto sesione kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, forcimin e qëndrueshmërisë financiare të bashkive dhe rritjen e përgjegjshmërisë ndaj mjedisit dhe komunitetit.




